Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i parë i vendit, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale janë dy çështje që duhet të përmbyllen sa më shpejt, ndryshe vazhdojnë të njollosin vendin.

Lidhur me Gjykatën Speciale, Pacolli ka thënë që Kosova ka një obligim ndërkombëtar, të cilin duhet ta përmbushë.

“Unë nuk jam votues, as ideator e as mbështetës që Gjykata Speciale të funksionojë pas 18 vjetësh këtu në Kosovë, të gjykojë diçka që ka ndodhur 20 vjet më parë”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Mirëpo është në pyetje diçka tjetër, obligimi që Kosova e ka marrë me nënshkrimin e një marrëveshje ndërkombëtare. Po që se nuk i implemetojmë marrëveshjet ndërkombëtare kemi dështuar”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka vlerësuar që kjo do të dëmtonte marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe se shpreson që sa më shpejt të mbyllet si temë.