Një takim i paraparë mes Delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në Bruksel, ka dështuar të mbahet pasi pala serbe ka vendosur që të tërhiqet, pas vrasjes së politikanit, Oliver Ivanoviq.

Shefi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifi, ka thënë se delegacioni serb është tërhequr para se të fillonte takimi mes tyre.

“Pala serbe është tërhequr para se të nisë takimi. Akti i vrasjes së Ivanoviq është pritur me keqardhje nga të gjithë”, ka thënë ai shkurt për Klan Kosova.

Ndërsa nëse ka pasur ndonjë koment nga zyrtarët në Bruksel për tërheqjen e palës serbe, Arifi ka thënë se nuk ka dëgjuar ndonjë koment specifik.

Arifi ka njoftuar më tej se të mërkurën do të kthehen në Kosovë nga Brukseli, duke pohuar se tash për tash nuk dihet se kur do të zhvillohet takimi i radhës.