Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un janë përplasur së fundmi për përmasat e butonit bërthamor që kanë në tryezat respektive. Pasi koreano-veriori i kujtoi Trump dhe botës se butoni i tij bërthamor ishte gjithnjë në tryezën e tij, presidenti amerikan u kundërpërgjigj, duke thënë se butoni i tij ishte më i madh dhe më i fuqishëm…

E këto retorika të fundit, kanë ngjallur padyshim kuriozitet për mënyrën se si mund të lançohet një armë bërthamore. Imazhi i Trump me gishtin në një buton, që është në gjendje të nisë një sulm bërthamor është përdorur për të simbolizuar shpejtësinë me të cilën ky proces mund të kryhet. Por, pavarësisht besimit të gjerë popullor, valixhja bërthamore ose siç e quajnë në SHBA, ‘Futbolli bërthamor’, që gjithnjë shoqëron një president, nuk përmban një buton, por ka pajisjet dhe dokumentat e vendimmarrjes që Trump duhet t’i përdorë për të autorizuar sulmin.

Vetë presidenti nuk mund të shtypë një buton dhe të bëjë një raketë që të fluturojë. Ai mundet vetëm të jap urdhërin autentik, që të tjerët e zbatojnë. Sipas ekspertëve, vendimi për një sulm bërthamor kërkon që presidenti të punojë me ndihmësit ushtarakë, që kanë në zotërim materialet që atij i duhen për të urdhëruar goditjen, si edhe me personel në të gjitha nivelet, që nga komandantët kryesorë e deri tek pjesëtarët e ushtrisë që punojnë në zonën e raketave.

Pavarësisht se ku ndodhet, në Shtëpinë e Bardhë, në makinë, në bordin e Air Force One apo në udhëtim jashtë vendit, Trump është gjithnjë i arritshëm, ndërsa valixhja me kodet bërthamore qëndron në të njëjtin ashensor me të, në të njëjtën dhomë hoteli dhe mbrohet nga agjentë të shërbimit sekret. Po ashtu, ka edhe një valixhe rezervë për zëvendëspresidentin, në rast se presidenti është jo efektiv.

Valixhja përmban katër gjëra, një menu opcionesh për goditjen; një kartë me kodet e identifikimit që presidenti të konfirmojë identitetin e tij’, një listë me bunkerë të sigurtë ku presidenti mund të strehohet dhe instruksione për të përdorur sistemin emergjent të transmetimit. Ndërsa zyrtarët e ushtrisë që do të kryejnë sulmin, duhet të punojnë në cift dhe duhet të jenë në një mendje para se të mund të ekzekutojnë një sulm bërthamor./TCH