Rikthim në skenën e krimit e ka quajtur kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nisjen e sesionit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë.

Duke kujtuar seancën e fundit të 18 dhejtorit ku u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës prokurorja e përgjithshme me mandat të përkohshëm, Arta Marku, Basha tha se menjëherë pas zgjedhjes së saj nisën edhe favoret ndaj kryeministrit Edi Rama, sic ishte kthimi i pasaportës Saimir Tahirit, dhe lirimi i Orest Sotës.

Kthehemi në skenën e krimit. Që nga 18 dhjetori janë shembur kolonat e demokracisë, ndarja e pushteteve. Qëllimet e kapjes së kryeprokurorit nga Edi Rama janë të qarta. Pas kurorëzimit të Ramës me kryeprokurorin, Saimir Tahirit ju hoq masa shtrënguese  ndalimit të daljes nga Shqipëria. I dyshuari për pastrim të parave të Tahirit, Orest Sota, u lirua

Po bëhen përpjekje të mëdha për të ndaluar hetimet në adresë të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, dhe të Elbasanit, Qazim Sejdini. Ish deputetit të mazhorancës Mark Frroku, dhe fabrikës së kokainës në Xibrakë, ku ka dyshime të forta për përfshirjen e familjarëve të Ramës, ju ul dënimi, dhe prokuroria nuk mori mundimin ta kundërshtojë

Këto janë vetëm aktet e para në më pak se 4 javë të kapjes së prokurorisë

Sot prokuroria ka refuzuar hetimin e akteve të 18 dhjetorit, falsifikimin e dhunimit dhe të rregullores në seancën e zgjedhjes së kryeprokurores”, tha Basha gjatë fjalës së tij që në përfundim u duartrokit nga deputetët e opozitës.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është në hetim për trafik droge në bashkëpunim me kushërinjtë e tij Habilaj, ndërsa Orest Sota u arrestua pasi u kap me 863 mijë euro në makinë dhe 2 patenta skafi në emër të Saimir Tahiri dhe një patentë të bashkëshortes së tij.