Një ylber spektakolar me fishekzjarre ujvarë nga ura “Harbour Bridge” në Sidnei shënoi kalimin në Vitin e Ri në Australi duke festuar njëkohësisht edhe legalizimin e martesave për të njëjtin seks, ndërkohë që ky çast u ndoq drejtpërdrejtë nga 1,6 milionë njerëz të mbledhur rreth urës.

Në Hong Kong u zhvillua një spektakël prej 10 minuash, që arriti kulmin pak para 12 tingujve të mesnatës me shfaqjen e “yjet që bien” të hedhura nga qiellgërvishtëset që bien mbi “Victoria Harbour”.

Në Xhakarta, qindra çifte i thanë po njëritjetrit në një martesë gjigante të përbashkët të organizuar nga qeveria.

Në Filipine rreth 200 persona u plagosën në festimet që zakonisht shënohen nga lëshime fishekzjarresh të pakontrolluara, përcjell Atsh.

Në Dubai, fishekzjarrja tradicionale u zëvendësua nga një spektakël me lazer sipër “Burj Khalifa”, kulla më e gjatë në botë (828 metra).

Ndërsa në Abu Dabi, kalimi në vitin 2018 u festua me një fishekzjarre gjigante.