Dy djemtë e liderit të “Lëvizjes Studentore” të dhjetorit 1990, Azem Hajdari janë arrestuar nga policia dhe më pas janë liruar me kërkesë të Prokurorisë.

Kirjald dhe Azem Hajdari akuzohen se kanë dhunuar një person, ndërsa ngjarja ka ndodhur në datën 27 dhjetor në Tiranë.

Arrestimi i dy vëllezërve Hajdari është bërë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, ndërsa personi i dhunuar prej tyre është Mikel Margjeka.

“Më datë 02.01.2018, në PKK Muriqan, u kapën vëllezërit shtetasit A.H, vjeç 19 dhe K.H vjeç 32 banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, neni 89 i Kodit Penal”, njofton policia.

Mësohet se konflikti i dy djemve të Hajdarit me Margjekën, që degjeneroi në dhunë ka ndodhur për motive të dobëta.

“Pas konsultimit me Prokurorin dhe kryerjes së veprimeve proceduariale dy vëllezërit janë lënë në gjendje të lirë”, sqaron policia.

Materialet për këtë çështje iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.