Abdulla Mehmeti

 

Në gjysmën e parë të vitit 2018, nga muaji janar deri në qershor, do të vazhdojnë negociatat intensive, me ndërmjetësim ndërkombëtar, për zgjidhjen e kontestit për emrin kushtetues të shtetit, mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Deri në muajin korrik, kur mbahet samiti i radhës i NATO-s, pritet që Maqedonisë t’i hapen dyrt për anëtarësim, si anëtare e 30 e saj, por deri atëherë kërkohet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Në lidhje me kontestin për emrin kushtetues të shtetit të Maqedonisë bisedohet më tepër se dy dekada, por asnjëherë pala shqiptare nuk ka qenë e kyçur në këtë çështje, edhe pse dihet që kjo nuk është çështje mes dy popujve, por mes dy shteteve.

Partitë politike të shqiptarëve, që nga viti 1990 kanë qenë vazhdimisht dhe janë edhe sot pjesë e pushtetit në Maqedoni, në Parlament dhe Qeveri, por, cili është roli i tyre në pushtet nëse nuk u mundësohet pjesëmarrja në bisedimet për emrin e shtetit të përbashkët, për aq më tepër kur dihet se nga pala greke, nuk kontestohet shteti, por emri i shtetit, emri Maqedoni, i cili sipas etimologjisë asgjë nuk ka të përbashkët me gjuhën e popullit të sotëm maqedonas, përgjithësisht me popujt sllavë dhe popullin e sotëm grek.

Përderisa emri i Maqedonisë (Maqedhonia, Emadhia) në aspektin historik, gjeografik, kulturor dhe gjuhësor lidhet më tepër me shqiptarët autoktonë në këto hapësira, ndërsa pala greke insiston të mos përdoret në asnjë variant si emër i shtetit fqinj të saj, atëherë shtrohet pyetja: interesat e kujt i përfaqësojnë partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat pushtetit i shërbejnë vetëm për përdorim të brendshëm, jo edhe për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme, siç është çështja e emrit të shtetit historikisht të përbashkët, të shqiptarëve me popullin maqedonas dhe pakicat tjera që jetojnë në të?!

Puna më vogël që duhet ta bëjnë partitë politike të shqiptarëve në këto momente kyçe për të ardhmen e Maqedonisë, si shtet edhe i shqiptarëve, është nevoja e ngutshme për përgatitjen e një Memorandumi, me arsyetime politike, historike, gjuhësore dhe të tjera, i cili do t’u drejtohet institucioneve relevante ndërkombëtare, OKB-së, Këshillit të Sigurimit, Këshillit Europian, shteteve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, qeverive të shteteve më të mëdha të botës dhe të rajonit, si dhe palëve në bisedime për kontestin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, me qëndrimet e palës shqiptare për këtë çështje.

Këtë obligohen ta bëjnë partitë nënshkruese të Deklaratës së partive politike parlamantare të shqiptarëve në Maqedoni dhe subjekte të tjera të rëndësishme shkencore, arsimore dhe kulturore të shqiptarëve, në konsultime edhe me faktorë të tjerë politikë dhe shkencorë, në Tiranë, Prishtinë dhe jo vetëm.

Me këtë Memorandum, faktori politik shqiptar në Maqedoni së paku duhet ta bëjë të qartë pozicionin e shqiptarëve në lidhje me këtë çështje kyçe, për të ardhmen e këtij shteti dhe perspektivën e popullit shqiptar në të.

Nëse përmes këtyre bisedimeve nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme edhe për shqiptarët, partitë politike parlamantare të shqiptarëve nuk kanë asnjë mandat, legjitimitet dhe kredibilitet që ta votojnë në Qeveri dhe Parlamantin e Maqedonisë propozimin e dalë nga këto bisedime, për aq më pak ta thërrasin popullatën shqiptare të deklarohet në referendumin eventual për këtë çështje, nëse do të kërkohet nga faktori ndërkombëtar.