Kina përshëndet dhe mbështet iniciativën e Koresë së Jugut për bisedime të nivelit të lartë me Korenë e Veriut, në prag të zhvillimit të Lojërave Olimpike dimërore të Pyeongchangut, deklaroi sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Jemi njoftuar për mesazhin pozitiv të dhënë nga liderët e dy Koreve për përmirësimin e marrëdhënieve të tyre dhe pjesëmarrjen e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike dimërore të Pyeongchangut”, deklaroi zëdhënësi Geng Shuang.

“Kjo është një gjë shumë e mirë. Kina përshëndet dhe mbështet faktin që dy Koretë shfrytëzojnë këtë rast si një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet reciproke, qetësimin e situatës në gadishull dhe denuklearizimin e tij”, theksoi ai.