Shqiptari nga Kosova, Pjeter Marku, në vitin 2007 e kishte humbur protofolin e vet në një kantier zviceran. Tani, atij i është kthyer portofoli i gjetur së bashku me një bankënotë të vjetër 20 frangëshe, e cila për të ka një vlerë të paimagjinueshme emocionale.

Pjeter Marku (46) me vendbanim në Brugg AG të Zvicrës, tashmë kohë të gjatë ka harruar se e kishte humbur portofolin e vet. Në vjeshtë të vitit 2007 ka qenë duke punuar në një kantier në Härkingen dhe me këtë rast e ka humbur portofolin. „Me siguri më ka ra ndokund“, ka menduar në vetvete.

Përpos letërnjoftimit, kartelave kreditore dhe 500 frangave para të gatshme, në te ka qenë edhe një bankënotë e vjetër 20 frangëshe, të cilën e ka ruajtur si kujtim që nga viti 1989. „Atëbotë erdha nga Kosova në Zvicër dhe me vete kisha vetëm 20 franga“, pohon Pjetri për „20 Minuten“, përcjellë „Shtegu.com“. Asnjëherë nuk e shpenzoi bankënotën prej 20 frangash dhe pas njëzet vitesh, ajo fitoi një vlerë të lartë emocionale.

Së bashku me kolegët e vet të punës, ka kërkuar nëpër kantier, por pa sukses. „Shpresa për të gjetur portofolin tim, shumë shpejt u shua“, vazhdon më tej Pjetri.

Por, vetëm deri para pak ditësh kur ai mori një thirrje nga një qendër postare. Një nëpunës i kishte thënë se ai e kishte gjetur portofolin e tij nën një makinë. Pjetri fillimisht ka menduar se bëhet fjalë për ndonjë mosmarrëveshje, duke iu përgjigjur se të veten e ka në xhep.

Por, shumë shpejt u dëshmua se bëhet fjalë për portofolin e humbur dhjetë vite më parë. Pjetri e merr portofolin në Härkingen dhe ajo që është më e pabesueshme, asnjë cent nga të hollat nuk i ka munguar. „Më së shumti natyrisht se u gëzova për bankënotën time prej 20 frangash e cila ende ishte brenda“, ka pohuar Pjetri.

Nge e gjithë kjo ngjarje, ai ka ardhë në përfundim se: „Zviceranët vërtetë janë njerëz të ndershëm“. (Shtegu.com)