Zizu thotë se Los Blancos do të tentojnë ta mposhtin Barcelonën me lojë të bukur në “Bernabeu”.

Për ta mposhtur Barcelonën në “Santiago Bernabeu”, Zinedine Zidane thotë se djelmoshat e tij duhet ta qarkullojnë mirë topin, ashtu si në ndeshjen e fundit në kuadër të Copa del Rey, ku Real Madridi fitoi 2:0, pak ditë pasi triumfoi edhe në Camp Nou me rezultatin 3:1.

“Për ta mposhtur Barcelonë, duhet të bëjmë futboll të bukur. Jemi gati për të bërë paraqitje të mirë. Për këtë kemi nevojë edhe për ndihmën e tifozëve, ata e dinë se gjithmonë na japin diçka ekstra”, tha Zizu.

“E mira është se jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje. Mua më pëlqen që ekipi të luajë mirë dhe këtë do të tentojmë të bëjmë kundër një kundërshtari të mirë (Barcelonës)”, shtoi ai.

“Çelësi i suksesit në El Clasico? Do të jetë dëshira, ambicia dhe mënyra se si e nisim ndeshjen. Nëse nuk luajmë mirë me topin, do të kemi probleme. Nuk duhet të mendojmë për diferencën e pikëve pasi që nuk mendoj se është ndeshje vendimtare sa i përket titullit”.

“Duhet të mendojmë pozitivisht. Jemi mirë dhe jemi përmirësuar në gjitha pozicionet në fushë. Edhe nëse humbasim, liga nuk ka mbaruar”, theksoi mes tjerash Zidane.

Real Madridi dhe Barcelona do të përballen të shtunën nga ora 13:00 në “Santiago Bernabeu”.