Prokurorja Speciale, Katica Janeva sot njoftoi se hetimi për lëndën “Shërbimet e huaja”, do të zgjerohet.

“Personalisht u befasova nga xhirimet në media. Çdo deklaratë është e mirëseardhur”, tha Janeva duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas konferencës përmbyllëse të projektit “Vëzhgimi i lëndëve gjyqësore nga fusha e krimit të organizuar dhe korrupsionit sipas Ligjit të ri për procedurë penale”.

Ajo refuzoi të zbulojë nëse MPB-ja pajisjet i ka blerë nga një kompani nga Izraeli, sepse bëhet fjalë për informacion të klasifikuar.

Në lëndën “Shërbimet e huaja”, dyshohen dy persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit, ndihmësministri dhe shefi i pajisjeve operative të DSK-së në MPB.

Në lidhje me hetimin për “Pikëpagesa”, që zhvillohet për ish-deputeten nga VMRO-DPMNE-ja, Janeva njoftoi se hetimi mund të zgjerohet edhe për një deputet.

Lidhur me anulimin e PPS-së nga kërkesa për ngrirjen e selisë së VMRO-DPMNE-së, Prokurorja Speciale tha se këtë e e kanë bërë që të mos ndikojë në situatën politike.

Theksoi se në këtë moment hetimi për “Talir” po përparon dhe se në tre – katër muajt e ardhshëm pritet të ketë epilog. Ky rast ka të bëjë me dyshimin e spastrimit të parave dhe financimit të kundërligjshëm të VMRO-DPMNE-së.

Në pyetjen për orarin e ri të gjyqtarëve në Gjykatën Penale tha se nuk është e rëndësishme se kush do të gjykojë, por është e rëndësishme të gjykohet në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

Sipas Janevës ajo që e shënon vitin 2017 është fillim i procesit gjyqësor për përgjimin.

Duke u përgjigjur për keqpërdorimet me AKMIS-sistemin gjatë shpërndarjes së lëndëve nëpër gjykata, tha se ato kanë pasur ndikim ndaj procedurave gjyqësore.