Zëvendëspresidenti i SHBA’ve nuk është i mirëpritur në Palestinë, tha një zyrtar i lartë i Partisë Palestineze në pushtet, Fatah. Reagimi vjen si përgjigje ndaj vendimit të Uashingtonit për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin izraelit. Pence kishte planifikuar të vizitonte rajonin më vonë këtë muaj.

“Në emër të Fatahut, ju them që nuk do ta mirëpresim zëvendësin e Trump në territoret palestineze. Ai kërkoi që të takohej [me Mahmoud Abbas] më 19 të këtij muaji në Bethlehem. Një takim i tillë nuk do të ndodhë”, tha Jibril Rajou, sekretari i përgjithshëm i Fatah. Partia udhëhiqet nga udhëheqësi palestinez Mahmud Abbas.

Vizita e Mike Penc ishte planifikuar për në 17-19 dhjetor, raporton Jerusalem Post, duke cituar Ministrinë e Jashtme.

Duke folur të shtunën, Pence tha se vizita e tij e planifikuar do të thotë se Uashingtoni do të “riafirmojë angazhimin e tij për paqen në rajon. Presidenti e ka bërë të qartë se ne duam paqe, por njerëzit duhet të dinë se Presidenti Donald Trump kurrë nuk do të komprometojë sigurinë e shtetit hebraik të Izraelit në mes të atij procesi”.

Një nga udhëheqësit mysliman më me ndikim të Egjiptit, Imami i xhamisë së Al Azhar, gjithashtu ka kërcënuar të anulojë një takim me Zëvendëspresidentin e SHBA, Mike Pence.

Sheiku Ahmed al-Tayeb dhe Pence do të mblidheshin së bashku në Kajro më 20 dhjetor, por kleriku tani thotë se takimi do të ndodhë vetëm nëse Trump anulon vendimin e tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin izraelit.

Një numër i fuqive botërore, duke përfshirë Rusinë, Gjermaninë, Francën dhe Turqinë kanë shprehur shqetësim të madh për vendimin e Uashingtonit.