Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavushogllu, i cili ndodhet për vizitë në Maqedoni me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në këtë vend, që shënohet më 21 dhjetor, ka vizituar edhe Bashkësinë Fetare Islame në RM, ku u prit nga Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi. Në një atmosferë tepërt të ngrohtë vëllazërore, zv/Kryeministri Çavushogllu nuk ka fshehur gëzimin dhe kënaqësinë që gjendet në Institucionin fetar islam që përkujdeset për myslimanët e vendit, që mbanë lidhje të ngushta me Institucionet e Turqisë dhe që gjithmonë insiston në thellimin e bashkëpunimit institucional.

Me këtë rast, Reisul Ulema i BFI-së delegacionin qeveritar turk e ka njoftuar me organizimin dhe aktivitetet fetare që janë të pareshtura në drejtim të avancimit të jetës islame në Maqedoni. Po ashtu, ka folur edhe për problemet me të cilat ky Institucion ndeshet në vazhdimësi. Veç kësaj, efendi Rexhepi ka shprehur edhe mburrjen e vet që është në krye të Institucionit i cili përkujdeset për ruajtjen e objekteve fetare islame që datojnë që nga periudhe  Osmane e që janë me vlera të veçanta në korpusin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Falënderim të veçantë i ka përcjellë Shtetit të Turqisë, i cili, përmes organizatave të veta dhe Drejtorisë së Vakëfit, ka ndërmarrë dhe po ndërmerr aktualisht një sërë aktivitetesh në restaurimin, konservimin e objekteve islame të mbrojtura me ligj por edhe në ndërtimin e objekteve të reja për të cilat popullata myslimane e kësaj ane ka aq shumë nevojë.

Nga ana e vet, zv/Kryeministri turk, z. Hakan Çavushogllu, ka kërkuar nga Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi që me tërë qenien e vet të përkujdeset për këtë multikulturalizëm dhe për komunitetin fetar multientik që funksionon në Maqedoni e që është një vlerë e paarritshme madje edhe prej shumë shteteve në zhvillim.

“Shteti Turk gjithnjë do të jetë me ju dhe në krah të Bashkësisë Fetare Islame të cilin e njeh si Institucion të vetmin fetar islam në Maqedoni. Projektet që do të na vijnë nga ana e juaj patjetër që do të gjejnë përkrahje në Turqi. Ju porosisim që të jeni vigjilent dhe mbrojtës të pa kompromis të realitetit shoqëror në Maqedoni si dhe në ruajtjen e multikulturalizmit të juaj por edhe të multinacionalitetit të komunitetit mysliman në Maqedoni”, është shprehur veç të tjerash zv/Kryeministri i Republikës së Turqisë, z. Hakan Çavushogllu.