Media greke “Espresso”, ka publikuar ditën e  sotme përgjimet e organit të akuzës në shtetin Helen, për organizatën shumëkombëshe të   trafikut të drogës që u kap duke transportuar 1.6 ton hashash me anë të një skafi të shpejtë të nisur nga Himara. Faktikisht  11 të pandehurit e kësaj organizate me shqiptarë, grek e bullgarë kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me drogën, por përgjimet telefonike të realizuara nga shërbimet greke të antidrogës, tregojnë jo vetëm të kundërtën, por edhe sofistikimin e këtij grupi.

Në përgjimet e transkriptuara, të cilat I botoi sot në mëngjes media greke, të dyshuarit përdornin fjalë të koduara gjatë bisedave telefonike, duke u kujdesur që në asnjë rast të mos përmendet fjala drogë apo lloji i saj.

“Ëmbëlsira”, “kaçkavalli”, “kafeja”, “çokolatinat”, janë disa nga këto fjalë që nënkuptonin drogën, pagesën cash si dhe kamatën e parave të future në këtë “biznes”..

Në fragmentin e parë të publikuar nga  “Espresso”, është transkriptuar një bisedë ndërmjet shtetasit shqiptar i identifikuar si Ermal Likaj dhe atij bullgar, Jordan Stojanov.

BISEDA E PARË

E.Likaj: Alo, mik.

J.Sotajanov: Të mbyllen portat? OK? Mbaruan?

E.Likaj: Po, po. Thuaju të mbyllet…

J.Stojanov: Do ktheheni. T’i heq kamerat?

E.Likaj: Jo, jo. Do të kthehemi nesër. Do të vijmë të njëjtën orë.

J.Stojanov: Ok, më merr në çfarëdo ore, të shkoj të mbyll kamerat.

BISEDA E DYTË

J.Stojanov: Ej, pasdite do të jem në dyqan, në ora 6.

E.Likaj: Po, sepse… doja të të them të vesh pak mbulesën aty, të gjithë s’ka…

J.Stojanov: Gjithë çfarë?

E.Likaj: Po, po. T’i vesh pak mbulesën.

J.Stojanov: Gjithë skafit?

E.Likaj: Po, sepse kam ato.

J.Stojanov: Të vendos mbulesën përsipër?

E.Likaj: Kam atë po të them… (nuk kuptohet)

J.Stojanov: Tani t’i them, vure, hiqe.

E.Likaj: Të mos marrë ndonjë bidon ai që hyn brenda…

J.Stojanov: Gruaja ime do të shkojë të vendosë mbulesën.

BISEDA E TRETË

Këtu, dy pjesëtarë të grupit, që nuk u publikohen emrat, flasin për çokolatina, para cash, kaçkavall dhe kafe.

I: E mban mend herën e fundit, ëmbëlsirën që more?

II: Herën e fundit?

I: Po, pra, ëmbëlsirën.

II: Po.

I: Po, nëse gjen njeri me cash…

II: Për çokolatinat nuk thua?

I: Po.

II: Për sa para?

I: Ai i le me dy. Më nxori një ditë pune.

II: Problem, hë? Tjetra me ndonjë tetëshe. Domethënë, ta sjell… A bëhet?

I: E dëgjova. Bëhet nami, vazhdimisht kaçkavall.

II: Për kaçkavallin paratë, kaçkavall, e di.

I: Dëgjo, më dëgjo…

II: Po

I: Unë me ty po flas. Çfarë çmimesh më japin…

II: Po

I: Unë nuk të vë kafe (nënkupton kamatën)