Mes përgjegjësisë së ish drejtorit të BSP-së Mitko Çavkov për 27 prillin në Kuvend dhe përgjegjësisë së përbashkët për krim të organizuar mes të dyshuarve, ekspertët vlerësojnë se e udhës do të ishte procedimi i veçantë i veprës së përgjegjësisë së secilit. Ish inspektori i Kontrollit të Brendshëm pran MPB-së, Voisllav Zafirovski vlerëson se hetimi i Prokurorisë duhet të zbardhë veprën e çdonjërit me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë në mënyrën e duhur.

Hetimi do të duhet të definojë rolin e çdonjërit veçmas. Secili do të përgjigjet sipas ligjit për atë që ka bërë dhe mbi bazën e përgjegjësisë që ka pasur në momentin e kryerjes së veprës. Sigurisht se Çavkovi do të përgjigjet për rolin e tij dhe urdhërat që ka pasur për detyrë të sigurojë Kuvendin dhe perimetrin rreth tij- deklaroi Voisllav Zafirovski, ish-inspektor në Kontroll të Brendshëm.

Zafirovski vlerëson pozitivisht ndarjen e hetimit për 27 prillit, një pjesë në Prokurorinë Publike dhe një në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Sipas tij, jo të gjithë që u futën në Kuvend më 27 prill mund të akuzohen për terrorizëm.

Përgjegjësia është njësi e përshkallëzuar dhe sigurisht se përgjigja për secilin do të jetë në bazë të veprës që e ka kryer në atë ngjarje penale. Nuk mund të themi se të gjithë janë organizatorë dhe se të gjithë kanë kryer vepër të njëjtë penale. Hetimi do të tregojë gjithçka dhe pas aktakuzës, gjyqi do të vendos se kush për çfarë dhe sa do të përgjigjet- theksoi Voisllav Zafirovski.

Aktualisht për zhvillimet e përgjakshme në Kuvend, 34 persona dyshohen për “cenim terrorist të rendit Kushtetues dhe sigurisë”, në mesin e tyre gjashtë deputet të VMRO-DPMNE-së, 3 prej tyre në paraburgim dhe 3 në arrest shtëpiak, ish drejtori i BSP-së Mitko Çavkov, organizatorët e protestave, agjent të DSK-së dhe persona tjerë të dyshuar. Jo zyrtarisht hetimi për 27 prillin do të zgjerohet e posaçërisht pas bastisjeve në shtëpitë e deputetëve Trajko Veljanovski dhe Vesel Memedi, të cilëve iu konfiskuan telefonat celular dhe të dhënat./alsat-m