Kryeministri Zoran Zaev ka refuzuar propozimin e Aleancës për shqiptarët që mjeku Vullnet Ferati të zgjidhet ministër i Shëndetësisë.

Zëdhënësi i Aleancës për shqiptarët, Flakron Bexheti thotë se kryeministri Zaev është shprehur i rezervuar lidhur me kandidaturën e mjekut Ferati. Bexheti vlerëson se refuzimi i Zaevit shkon ndesh me parimin e funksionimit të koalicionit qeveritarë që emrat e ministrave të vendosen nga vetë partitë pjesëmarrëse në qeveri. Sipas tij, Aleanca përpiqet që kuadrot e porpozuara për ministra të jenë të pranueshëm për kryeministrin, instucionin dhe për shoqërinë në përgjithësi.

“Pothuajse të gjitha kuadrot e ASH që sot jane bartës të funksioneve të larta, i takojnë një gjenerate të re politike, që bartin në vehte përvoja të ndryshme institucionale. i tillë është edhe propozimi i ASH pë Ministër të Shëndetësisë, dr. Vullnet Ferati, një kuadër cilësor, profesional dhe me njohje të mirë të Sistemit të Shëndetësisë”, thotë për Almakos, zëdhënësi Bexheti.

Ai beson se kandidati i propozuar plotëson çdo kusht për të qenë në ballë të Ministrisë së Shëndetësisë, për ta reformuar atë në interes të pacientëve dhe jo në interes të politikës dhe të partisë.

Kryeministri Zaev ka gjetur sebep te emri i ministrit të shëndetësisë të propozuar nga Aleanca për shqiptarët për ta marrë për partinë e tij këtë resor të rëndësishëm. Zaev ka sqaruar se resorin e Shëndetësisë ia ka besuar ish ministrit Taravari, e jo Aleancës për shqiptarët.