Parti politike stabile si VMRO-DPMNE dhe si LSDM, do të thonë edhe stabilitet për Republikën e Maqedonisë. Përfundimi i kongresit të oponentit tonë politik dhe zgjedhja e liderit të ri duhet të paraqesë perspektivë edhe për shtetin, deklaroi sot kryeministri, Zoran Zaev.

“Pres proces konstruktiv në Parlament dhe kthesë kritike nga opozita. Mund vetëm t’i dëshiroj fat kryetarit të ri të VMRO-SPMNE-së dhe së bashku të gjithë të mendojmë për Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Zaev, i pyetur se si e vlerëson zgjedhjen e Hristian Mickovskit për kryetar të VMRO-DPMNE-së.

I pyetur nëse ka paralajmërim për takim me liderin e ri të VMRO-DPMNE-së, Zaev tha se nuk kanë biseduar asgjë, por se mundësinë e parë kur do të ketë nevojë për takim do të pranonte dhe do të ftonte.

I pyetur nëse pret që VMRO-DPMNE të kthehet në Kuvend, Zaev tha se pret korrigjim të vendimit dhe kthim në Parlament, prandaj, siç tha, para tij ka shumë çështje serioze për të vendosur.

“Pjesëmarrja e opozitës është e domosdoshme që të kemi procese normale dhe demokratike. Jam i bindur se opozita duhet të jetë pjesë e asaj që do të thotë proces reformues, por edhe gjithë asaj që do të thotë perspektiva të mira të Republikës së Maqedonisë. Aty ku do të arrijmë të harmonizohemi, e pres edhe zërin e tyre, aty ku nuk do të dakordohen me pushtetin të jenë kritik dhe kundër”, tha Zaev.

I pyetur nëse do të ketë takim të ri me Ziadin Selën, liderin e Aleancës për shqiptarët, Zaev tha se mbi një muaj bisedojnë për këtë çështje.

“Shpresoj se nëse vendimi i tyre është të mbeten në Qeveri, kjo do të thotë pranim i nënkryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për reforma”, deklaroi Zaev.

Theksoi se as Arben Taravari, as Ziadin Sela nuk e kanë informuar dhe ai ka dëgjuar nga mediumet për vendimin e tij të shkojë si kandidat për kryetar komune.

“Bëhet fjalë për parti politike e cila ka dy vende deputetësh. Ministria e Shëndetësisë është një ndër resorët më të rëndësishëm në qeveri dhe në momentin kur ishte ofruar gjatë konceptimit ishte dhënë edhe për shkak të kandidatit. Ne e ofruam vendin e nënkryetarit për reforma duke e pasur parasysh se me të vërtetë është parti e re që do të dëshirojë të dëshmohet. Besuam se kjo do të ishte e pranueshme për ta”, tha kryeministri.

Zaev sot ishte në Gjykatën Penale, për shkak të gjykimit për lëndën “Mitmarrja” ku si kryetar i komunës së Strumicës është i dyshuar për kërkesë dhe për marrje të mitos në vlerë prej rreth 160 mijë eurove. Gjykimi është shtyrë për më 29 janar të vitit të ardhshëm, sepse lënda nuk ka arritur nga Gjykata e Apelit, e cila ende nuk ka vendosur për ankesën për masat e hetimit të posaçëm në këtë rast.