Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim pozitiv dhe konstruktiv në të gjitha nivelet, pa çështje të hapura. Vizita në Kosovë është një mundësi për thellimin e marrëdhënieve të mira, tha sot përmes profilit të tij në Facebook, kryeministri Zoran Zaev, i cili po bën një vizitë zyrtare në Prishtinë.

“Me kryeministrin Haradinaj dhe me ministrat e tjerë në Qeverinë e Kosovës, me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot takohemi si  udhëheqës të dy vendeve pa çështje të hapura. Ne jemi këtu për të hedhur një hap më tej: të hapim mundësi të reja për përmirësimin e mëtejshëm dhe thellimin e marrëdhënieve tona reciproke. Jam i lumtur që jam kryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë, i cili erdhi për të vizituar Kosovën”, shkruan Zaev.

Заев Косово

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me nderime shtetërore u prit sot  para qeverisë së Kosovës nga kryeministri kosovar Ramush Haradinaj.

Përveç me Haradinaj, kryeministri Zaev në Prishtinë duhet të takohet edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Заев Харадинај

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri i Maqedonisë do të takohet me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit maqedonas- kosovar.

Në delegacionin që do të udhëhiqet nga kryeministri Zaev do të jenë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, ministri i Kulturës Robert Alagjozovski, si dhe ministri pa portofol përgjegjës për Diasporën, Edmond Ademi.

Vizita e Zaevit është vizita e parë zyrtare e një kryeministri të Republikës së Maqedonisë në Republikën e Kosovës.