Sportistja më e famshme e Xhudos në vendin tonë, Arbresha Rexhepi, më në fund u shpërblye nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë, për punën e saj të palodhshme dhe rezultatet e arritura në garat kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë dy viteve të fundit. Andaj, të Martën, më 26 Dhjetor 2017 Arbresha Rexhepi nënshkroi bursën olimpike më Komitetin Olimpik të udhëhequr nga Kryetari i KOM Vasil Tupurkovski, kështuqë, tani e tutje dyert për në Olimpiadën 2020 janë të hapura për të.

Përndryshe, Arbresha Rexhepi është një sportiste e re, anëtare e sport klubit të Xhudos Ipon nga Shkupi, dhe kohën e fundit po mbledh medaljet e shumta nëpër garat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, gjë që premtojnë shumë se ajo do të arin të përmbushe normën për pjesëmarrje olimpike në olimpiadën e ardhëshme që duhet të mbahet në Tokio të Japonisë më 2020.

Pas nënshkrimit të dokumentit për marrjen e bursës olimpike, Arbresha u shpreh mjaft optimiste, duke shtuar se: “Këtë bursë unë e përjetoj më shumë si një obligim, sesa si shpërblim. Do të përpiqem dhe do të jap maksimumin që me rezultat të mirë dhe medalje t’ia kthej vendit tim”.

Sukseset e Arbëreshës për vitin e fundit renditen si rruazat e çmuara në fan faqen e saj në facebook, e cila mban emrin e saj Arbresha Rexhepi, ku ato nisin nga medalja e bronztë në Pllovdiv të Bullgarisë, duke vazhduar me garat ndërkombëtare në qytetin Koroshka të Sllovenisë ku gjithashtu u kurorëzua me medaljen e bronztë duke vazhduar kështu me garat ndërkombëtare në Kluj Napoka të Rumanisë, ku mori medaljen e parë për Maqedoninë në kategorinë deri në 48 kg për femra. Më pas gjithçka ndryshoi me garat në qytetin Kaunas të Lituanisë, e sidomos në Kryeqytetin Slloven, Lubjanë ku ajo u kurorëzua më medaljen e artë.