Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me nënpresidenten e Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova, e cila po qëndron për vizitë të shkurtër pune në Republikën e Maqedonisë.

Duke i dëshiruar mirëseardhje, kryetari Xhaferi e konstatoi me kënaqësi dinamikën e takimeve në muajt e kaluar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe në nivelin parlamentar, si edhe një dëshmi për përpjekjet e përbashkëta të të dyja vendeve për përparimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

Me këtë rast, Xhaferi u falënderua për përkrahjen që Republika e Bullgarisë ia jep Republikës së Maqedonisë dhe për aspiratat e saj për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Republika e Maqedonisë dhe institucionet e saj punojnë me përkushtim në miratimin e pakos së ligjeve reformuese në muajt e ardhshëm, si edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, me shpresë për marrjen e raportit pozitiv nga Komisioni Evropian vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst, kryetari Xhaferi kërkoi mbështetje nga Republika e Bullgarisë gjatë kryesimit të saj me Këshillin e Bashkimit Evropian për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.

џафери јотова 2

Nënpresidentja Jotova falënderoi për mundësinë për takimin e sotëm dhe e përuroi kryetarin Xhaferi për zgjedhjen e tij, që vjen në një moment kyç të ndërtimit të konsensusit për çështjet strategjike që imponojnë ekzistim të stabilitetit politik në vend.

Ajo e informoi bashkëbiseduesin për qëllimin e vizitës së punës dhe për iniciativën për themelimin e biznes klubit Bullgari-Maqedoni, qëllimi i të cilit do të jetë bashkëpunimi më i përforcuar ndërmjet biznes bashkësisë dhe ndërmjet komunave të të dy shteteve. Në raport me aspiratat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, nënkryetarja Jotova tregoi gatishmëri që Republika e Bullgarisë, gjatë kohës së kryesimit të saj me Bashkimin, të bëjë gjithçka që është në mundësi të saj që Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Zgjerimi nuk duhet të jetë vetëm premtim, por realitet për Republikën e Maqedonisë. Për anëtarësimin në NATO Jotova i përshëndeti angazhimet e të dyja palëve për gjetjen e zgjidhjes për kontestin me emrin.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ratifikimi i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë duhet të ratifikohet sa më shpejt në parlamentet e të dy vendeve, me përkrahje të gjerë parlamentare dhe se pas ratifikimit, i njëjti do të hapë mundësi për bashkëpunim konkret në shumë fusha ndërmjet dy shteteve, përfshirë edhe fushën e arsimit, ekonomisë dhe kulturës.