Deontay Wilder, kampioni i botës në peshat e rënda në kategorinë WBC, ka thumbuar sot sërish kolegun e tij Anthony Joshua (kampion bote në kategoritë IBF dhe WBA), duke deklaruar se promotori i tij Eddie Hearn po e pengon këtë përballje.

“Ka frikë se do të humbasë duelin dhe titujt kampionë bote, ndaj nuk e lejon të ngjitet në ring me mua. Më vjen keq për Joshua që nuk i merr vetë vendimet, ndërsa unë vendos vetë për jetën time”, tha Wilder.

Boksieri amerikan shpreson që ky duel të realizohet një ditë, që do të unifikonte titujt kampionë bote në peshat e rënda. “Ne duhet të kënaqim njerëzit që e duan këtë sfidë me çdo kusht dhe të mos e pengojmë spektaklin. Por Hearn ka frikë se mos “lodra” e tij thyhet.

Unë e pres dhe jam gati në çdo moment për këtë sfidë, por ai fshihet gjithnjë”, u shpreh më tej Deontay Wilder, që duket se do të mbrojë titullin kampion vitin tjetër ndaj Dillian Whyte.