Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë sot se Rusia dëshiron stabilitet në Ballkan, dhe se do të mbështesë çfarëdo marrëveshje që do të arrijnë Serbia dhe Kosova.

Ai ka theksuar se Moska do të vazhdojë ta mbrojë integritetin territorial të Serbisë në të ardhmen.

“Rusia është e interesuar për stabilizimin e Ballkanit, dhe për bashkëpunim dhe raporte me të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Putin gjatë një konference të përbashkët për media, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sot ka qëndruar në Moskë.

Putin po ashtu ka folur për rëndësinë e Serbisë për transportin e gazit rus.

Serbia mund të bëhet element i rëndësishëm për qarkullimin e gazit rus, dhe Rusia po punon për ta lidhur Serbinë me projektin e Rrjedhës Turke, ka thënë ai.