Një burrë 33 vjeçar nga Kosova është vrarë natën e mbrëmshme në Vjenë, pasi u sulmua nga dy burra të panjohur. Ai ishte duke ecur me një grua 44 vjeçe kroate në kohën kur është sulmuar nga dy burra të panjohur, të veshur me rroba të zeza, ka thënë një burim policor për orf.at.

“Dy burrat e përmendur, sipas gruas dëshmitare, e kanë sulmuar 33 vjeçarin pa i thënë asnjë fjalë dhe e kanë therur, sipas të gjitha gjasave, me thikë”.

Viktima ka pësuar një plagë të rëndë në gjoks, dyshohet nga goditja me thikë, thonë në polici, transmeton albinfo.ch. Pastaj ai është transportuar për në spital, ku si pasojë e plagëve, ka vdekur pas dy orëve. Sulmuesit e dyshuar kanë ikur në drejtim të stacionit kryesor hekurudhor.

Motivi i vrasjes është ende i panjohur ndërsa të dyshuarit po ndiqen dhe ndaj tyre po zhvillohen hetime për vrasje të rëndë.