Ka shkuar në 12 numri i personave të shoqëruar në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.

Sipas policisë këta persona kanë pasur më parë konflikte me të ekzekutuarin ose kanë pasur dijeni për to. Por deklarimet e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor.

Për këtë arsye prokurorët nuk po anashkalojnë asnjë konflikt që Ndoka dhe familjarët e tij mund të ketë patur në Lezhë apo jashtë vendit. Burime të Prokurorisë bëjnë me dije për “Tv Klan” se po hetohen dy pista kryesore, ajo e konflikteve personale apo anëtarëve të tjerë të familjes. Ndoka dhe ajo e vrasjes për shkak të detyrës.

Prej vitit 2013, 48-vjeçari ka mbajtur detyra në administratën lokale në Lezhë, jurist në Hipotekë dhe këshillin e qarkut si dhe nga 2015 anëtar i këshillit bashkiak. Ndërsa muaj më parë ai ishte emëruar edhe kryeinspektor i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për Veriun.

Një konflikt ku u perfshi djali i viktimës në zgjedhjet e 25 Qershorit është bërë gjithashtu pjesë e hetimit. Ai u arrestua vetëm 3 javë më parë, ndërsa është lejuar të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait, i shoqëruar nga forca të policisë.

Hetuesit thonë së autorët e këtij atentati kanë patur informacion të saktë mbi levizjet që kryente objektivi i tyre ose e kanë ndjekur atë.

Rruga në afërsi të banesës është parë si vendi më i përshtatshëm, për shkak se është ngushtë dhe viktima nuk ka patur mundësi largimi.

Sipas ekspertëve te kriminalistikes, Aleksandër Ndoka ka qënë duke kthyer makinën për të hyrë në banesë dhe është qëlluar teksa po ecte mbrapsht. 14 plumba u qëlluan ndaj tij dhe 9 prej tyre e kanë prekur në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. /Tv Klan/