Struktura partiake të Lëvizjes BESA nga Shkupi, Kumanova dhe Likova janë kundër rizgjedhjes së Bilall Kasamit për një mandat të dytë, të verifikuar nga Kongresi partiak.

Anëtarë të lartë të kësaj partie theksuan për INA se kësaj radhe lideri i Lëvizjes BESA do të jetë nga Shkupi, për shkak të rezultatit solid të shënuar në komunën e Çairit dhe anëtarësisë së gjerë që kërkon rifreskimin e kreut partiak.

“Sigurisht se do të ketë ndryshim. Ne si struktura do të kërkojmë largimin e Kasamit dhe për një qëndrim të tillë do të dalim publikisht, por paraprakisht do të diskutojmë në organet partiake. Kjo nuk nënkupton se ne po duam përçarjen e partisë”, theksuan për INA, anëtarë të BESËS.

Në garën për lidershipin e kësaj partie përmenden Zeqirija Ibrahimi ose Skender Rexhepi – Zejdi, por në lojë janë edhe emra të tjerë nga degët e Tetovës, siç është kryetari i komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu.

Prandaj në mbledhjen e rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA, të mbajtur disa javë më parë në Shkup, duke u bazuar në nenin 38 të Statutit të Lëvizjes BESA, Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA diskutoi për zgjedhjet e brendshme në Lëvizje dhe për organizimin e Kongresit të Lëvizjes. Pastaj në mënyrë unanime u vendos që, pas realizmit të zgjedhjeve të brendshme, Kongresi i Parë i Lëvizjes BESA të mbahet më 24 shkurt të vitit 2018.

Me këtë rast anëtarët e Këshillit Qendror bënë edhe vlerësimin e punës së deritanishme të Lëvizjes BESA në skenën politike, duke dhënë vlerësimin se ardhja e Besës në skenë e ka rimodeluar arenën politike në Maqedoni, veçmas në kampin politik shqiptar, duke u bërë partia e parë shqiptare që ka vendosur parime të fuqishme politike dhe moral të ri politik, mbi të cilat e ka zhvilluar politikën e saj.

Qëndrimi i anëtarëve të Këshillit Qendror ishte se tash Besa ka nevojë për një kongres me qëllim të konsolidimit dhe fuqizimit, por edhe për një shtrirje jo vetëm sasiore, sa cilësore dhe akoma më përfshirëse.