Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të nënkryetarit të OVL’së, Nasim Haradinaj, i cili tha “Punë e madhe që u vranjë njerëzit e LDK’së”. Haradinaj ka thënë se këto raste do të jenë subjekt i hetimit të organeve të ligjit, dhe kjo s’duhet të zbehet nga deklarata publike.

Pasi bëri bujë një deklaratë e nënkryetarit të OVL’së, Nasim Haradinaj, i cili nuk e sheh të arsyeshme që Gjykata Speciale të ekzistojë, edhe nëse do të gjykojë vrasjet e pasluftës, duke iu dukur krejt e parëndësishme që janë vrarë zyrtarë të LDK’së.

Sot, kryeministri Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook, ka shpjeguar se me vrasjet e pasluftës do të merren institucionet e drejtësisë.

“Vrasjet e pasluftës, të figurave të shquara publike e politike, si krime, do të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit”, ka shkruar kryeministrit.

Sipas Haradinajt, këto vrasje janë plagë e dhimbshme dhe moszbardhja e të gjitha vrasjeve të pasluftës është turp për Kosovën.

“Prononcimet publike lidhur me këto raste, të çfarëdo natyre qofshin, nuk duhet të zbehin përgjegjësinë dhe detyrën e Institucioneve të vendit për zbardhjen e tyre”, thuhet në shkrimin e kryeministrit Haradinaj.