Hysnije Maliqi – Gashi, 39-vjeçe nga Komuna e Rahovecit, i dha fund jetës së saj duke e varur veten në mëngjesin e djeshëm në shtëpinë e nënës, në fshatin Potoqan të Poshtëm të Komunës së Rahovecit. Ajo ishte e martuar dhe la pas 3 fëmijë, më i madhi 15 vjeç e më i vogli 7. Burri i saj, Dëfrimi, thotë se nuk i di motivet që e shtynë gruan ta kryente këtë akt. 39 vjeçarja u varros dje.

Një djalë 10-vjeçar po luan në oborrin e njërës shtëpi të familjes Gashi në fshatin Hoqë e Vogël, bashkë me  kushërinjtë e tij, pak më të rritur. Me buzë në gaz e me mirësi, ai na kërkon që t’i bashkohemi në tavolinën ku po hahet dreka. Familjarët kishin shtruar këtë drekë për ta përkujtuar Hysnije Maliqi – Gashin, nënën e këtij 10-vjeçari, e cila të hënën që shkoi  i dha fund jetës, derisa po qëndronte në shtëpinë e saj të vajzërisë, në fshatin Patoqan të Poshtëm të Rahovecit.

Hysnije Maliqi – Gashi u varros të hënën pasdite në varrezat e fshatit Hoqë e Vogël, pasi  ishte varur me litar gjatë kohës sa po qëndronte për vizitë te shtëpia e nënës.

Por, në familjen ku ishte e martuar, pohojnë se nuk i dinë motivet që e çuan në vetëvrasje nusen e tyre.

Të martën ka qëndruar në familjen e së ndjerës  dhe të burrit të saj, ku ka marrë rrëfimet e familjarëve rreth kësaj ngjarje të rëndë.

Një ditë pasi ndodhi tragjedia, familja e burrit ka hapur të pame. Aty pohojnë se Hysnija ka pas jetë të lumtur me burrin dhe familjen e tij.