Policia po e trajton si të dyshimtë vdekjen e një miliarderi kanadez dhe gruas së tij.

Trupat e Barry dhe Honey Sherman u gjetën të premten në banesën e tyre në Toronto, duke tronditur opinionin publik. Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, policia njoftoi se autopsia kishte zbuluar se të dy kishin vdekur si pasojë e shtrëngimit në fyt dhe kjo i shtyn ta shohin si të dyshimtë rastin.

Më herët, familja e tyre reagoi kundër raportimeve se çështja po hetohej si vrasje-vetëvrasje, duke thënë se askush nga ata që e njihnin çiftin nuk e besonin këtë teori. “Prindërit tanë ndanin entuziazmin për jetën dhe përkushtimin për familjen dhe komunitetin. Jemi të tronditur dhe i cilësojmë të papërgjegjshme sugjerimet e policisë mbi teori që as familja e as miqtë e tyre nuk i besojnë”, thuhej në një deklaratë.

Trupat e viktimave u gjetën nga agjenti i tyre imobiliar, i cili po përpiqej të shiste pronën. Nuk ka shenja për hyrje me forcë e policia tha më herët se nuk po kërkonin për të dyshuar.

Disa gazeta kanadeze raportuan se hetuesit po vlerësonin mundësinë se Barry Sherman kishte vrarë fillimisht gruan e më pas veten.

Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga i gjithë vendi, përfshirë kryeministrin Justin Trudeau.

Një prej njerëzve më të pasur të Kanadasë, Sherman ishte themelues dhe drejtues i gjigantit të farmacisë Apotex, që shet medikamente gjenerike mjekësore rreth botës.