Stacionet matëse të ministrisë së Ambientit Jetësor gjatë ditës së sotme kanë regjistruar nivel alarmant të ndotjes së ajrit. Gjendje më e rëndë paraqitet në Tetovë, Kumanovë, Qendër, Karposh, Gazi Babë, Manastir dhe Veles ku koncentrimi i grimcave PM10 dhe PM 2,5 është disa herë më lartë nga norma e lejuar. Qytetarët ndajnë mendime të ndryshme mbi faktorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit, megjithatë njëzëri kërkojnë nga autoritetet kompetente që të ndërmarrin masa për zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi.

Unë jetoj këtu në Shkup, këtu më përpara të gjithë ngroheshim me dru, me qymyr dhe nuk ishte kjo gjendje me ndotjen. Ishte hapur, kishte hapësirë, korridor ku qarkullonte ajri nga Vodno-ja. Gjithsesi se edhe veturat e ndotin ajrin, unë jam që të mos qarkullojë vetura për një person, por me organizim të transportit”.

Veturat nuk duhet të hyjnë aspak brenda qytetit, gjithë kjo gjendje vjen nga veturat, në mëngjes i pash fqinjët të gjithë me vetura duke dalë. Ndotja na pengon në shëndet, si neve pleqve, si fëmijëve, si personave të sëmurë. Ka njerëz që kanë probleme me frymëmarrjen- ankohen qytetarët e anketuar.

Ndërkohë disa qytetarë të tjerë të anketuar theksojnë se krahas makinave, në ndotjen e ajrit në masë të madhe ndikojnë edhe fabrikat, të cilat punojnë pa vendosjen e filtrave.

Fabrikat janë problemi kryesor i ndotjes, natën nxjerrin shumë tym edhe andej nga ne në John Kenedi. Nuk është çështja tek veturat, në secilin cep të qytetit ka vetura. Duhet të vendosen filtra, por këtu asnjëfarë pastrimi nuk ka. Natën ndjejmë erë të djegur. Unë nuk i lë fëmijët e mi jashtë se e di çfarë ajri është”.

Komunat duhet të marrin përgjegjësi më tepër për veturat.  Një aksion sikur që ishte para dy javësh për pastrimin e ajrit duhet të bëhet më shpesh të ndërmerren. E ndjejmë rëndësinë gjatë frymëmarrjes- shprehen disa të tjerë.

Javën e ardhshme Qyteti i Shkupit planifikon të fillojë me ndërmarrjen e masave kundër zjarreve në ambiente të hapura, si një masë tjetër kundër ndotjes së ajrit. Ndryshe javë më nga Qyteti i Shkupit ndërmorën masa për pastrimin e rrugëve të të gjitha komunave që përfshinë Bashkinë e Shkupit, masë kjo e cila ditëve të ardhshme përfundon. Por pavarësisht kësaj, institucionet e vendit ende nuk kanë filluar me zbatimin e masave për zgjidhjen afatgjate të këtij problemi.