Proceset gjyqësore të cilat i udhëheq Prokuroria Publike Speciale janë në fokus të opinionit. Gjykimi për “Dhunë në Qendër” do të vazhdojë më 18 dhjetor, është anuluar seanca për “Total”, ndërsa është pranuar akuza për “Titanik 2”.

Dje, siç konfirmuan nga PPS për MIA-n, Këshilli për vlerësimin e aktgjykimit të Gjykatës Penale e pranoi akuzën për rastin “Titanik 2″për parregullsi zgjedhore.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit janë lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, ish-anëtarët e KSHZ-së Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Sajkovski si dhe anëtari aktual Sasho Sërcev. Është pranuar edhe propozim-akuza për Sasho Mijallkov për veprën penale marrja e shpërblimit për ndikim kundërligjor.

Gjykimi për lëndën e PPS-së “Dhunë në Qendër” do të vazhdojë më 18 dhjetor, kumtoi dje gjykatësja Tatjana Mihajllova.

Zhernovski tha se protestat para komunës më 13 qershor të vitit 2013 te ai shkaktuan ndjenjë të frikës dhe pasiguri dhe se ishin penguar të dalin nga barakat. “Jetët tona ishin në rrezik. Ishte e qartë se ekzistonte komunikim midis këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, MPB-së dhe qytetarëve që protestuan”, tha Zhernovski.

Seanca për lëndën “Total” në të cilën për fshehjen e tatimit akuzohet gazetari Dragan Pavlloviq-Latas, dje është anuluar, ndërsa data për mbajtjen e seancës së re në mënyrë plotësuese duhet të përcaktohet.

Gjykata e Apelit Shkup i konfirmoi arrestimet për regjisorin Boris Damovski, aktorin Vllado Jovanovski dhe ish-shefin e Sigurimit të Trajko Veljanoskit, Goran Gjoshevski, ndërsa Këshilli gjykues në kuadër të Gjykatës Themelore Shkup 1 i konfirmoi në tërësi vendimet e gjykatësit me procedurë paraprake, me të cilat u pranua propozimi i prokurorisë kompetente për përcaktimin e masës së arrestit të shtëpisë për Johan Tarçullovskin dhe Zhaklina Peshevska.

Të gjithë akuzohen për pjesëmarrje në trazirat në Kuvendin e RM-së më 27 prill të këtij viti.