Barcelona do të udhëtojë drejt Madridit të shtunën, ku do të përballet me Realin vendas në “Santiago Bernabeu”. Kampionët në fuqi të Europës, por edhe të Botës, Reali, do të gjejë përballë kryesuesit e kampionatit spanjoll, ndërsa mes Ronaldos dhe Messit do të zhvillohet përballja e disatë.

Valverde luan El Clasicon e parë dhe do të kërkojë të mos humbë, me qëllim që të ruajë distancën e krijuar nga Reali, që aktualisht vjen në vendin e 4-t të renditjes.

Pikërisht për këtë arsye, trajneri i katalanasve ka përgatitur edhe një skemë speciale, për të përballuar Realin. I ndikuar deri diku edhe nga alternativat, Valverde po përgatitet të hedhë në fushë skuadrën e tij, të rreshtuar në skemën 4-1-3-2.

Kështu në portë do të jetë i zakonshmi Ter Stegen, ndërsa në qendër të mbrojtjes pritet të luajnë Pique dhe Vermalen, të mbështetur nga Sergi Roberto dhe Jordi Alba nga krahët.

Para tyre do të luajë Sergi Busquets, që do të ketë detyrën e vështirë të përballjes me madrilenin Isco, për të minimizuar sa më shumë topat që kalojnë nga ai.

Iniesta e Rakitic do të kenë detyrën që të luajnë më në krah të mesfushës, për t’u përplasur vazhdimisht me dyshen e Realit, Modric-Kroos.

Mjaft interesant do të jetë dueli mes kroatëve Modric-Rakitic, në mesin e fushës, por edhe ai brazilian, Paulinho-Casemiro, me mesfushorin e Barçës që do të synojë të shqetësojë madrilenin, për t’i krijuar sa më shumë hapësirë Lionel Messit.

Argjentinasi do të jetë futbollisti i vetëm që do të ketë liri lëvizjeje në të gjithë hapësirën e sulmit, ku do të mundohet të shfrytëzojë hapësirat e krijuara nga pyka e vetme, Luis Suarez.