Njëri nga aktivistët më aktiv të Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti ka folur për mbledhjen e nesërme të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.Ai në një shënim në Facebook e ka quajtur guximin e aktivistëve që kundërshtuan grupin e deputetëve që kishin kushtëzuar kandidimin e Albin Kurtit, si dicka që sjell shpresë.

Ndërkaq, në mënyrë indirekte ai godet grupin e atyre deputetëve që kishin vënë këtë kusht, për Kurtin.

Shënimi i plotë:Guximi që sjellë shpresë

Zhvillimet të fundit në Lëvizjen tonë, të cilat siç po duket do të bijnë në binarët e vetë, të dielën kur edhe do të mbahet Këshilli i Përgjithshëm, sigurisht që për të gjithë aktivistët e Lëvizjes kanë qenë jo lehtë të përballueshme duke pasur parasysh sakrificën me të cilën është ndërtuar e rritur Lëvizja jonë. Por njëkohësisht këto zhvillime janë shpresë që Lëvizja do të vazhdojë e palëkundur me konceptet e parimet e saja, pavarësisht çfarëdo tendence të brendshme e të jashtme.Pse them që këto zhvillime janë shpresë?Të gjithë mund ta kujtojmë fjalimin e Albin Kurtit më 28 nëntor 2015 kur flet për shpresën.

Ai ndër të tjera thotë: “…kur njerëzve iu humbet shpresa, nuk duhet t’ia kthejmë shpresën, por duhet t’ia kthejmë guximin, sepse kur e ke guximin, të vie shpresa, ndërsa kur nuk e ki guximin shpresa është iluzion’.Guximi që treguan qytetarër dhe aktivistët e thjeshtë gjithandej Kosovës e diasporës që në mënyrë të papërllogaritshme t’i dalin në krahë Albin Kurtit gjatë këtyre dy javëve të jep shpresë.

Ky guxim ishte i shprehur përballë autoritetit formal që vinte nga pozicioni i kryetarit të Lëvizjes, por edhe kundër elitave mediatike e opinionbërese në vendin tonë. Guxim kundër të fortëve me ‘lidhjet e duhura’ me ata që orientojnë mendim, e guxim që t’i dalë në krah të ‘dobëtit’ që po mbahet padrejtësisht burgjeve.Me të drejtë dikush mund të pyes: çfarë shprese lind prej kësaj?

Gjatë gjithë kohës propagandohet që në politikë dalin ngadhnjimtarë ata që kanë lidhjet e duhura me njerëzit në vendet e duhura: gazetarë, opinionistë, redaktorë e kryeredaktorë, arrijnë të ndërtojnë marrëdhënie me ata që zotërojnë kapitalin e njëkohësisht janë garanci që angazhimi nuk është rrezik për ta. Propagandohet që suksesi vjen vetëm përmes servilizmit ndaj autoritetit (herë formal si kryetar e herë si ‘i forti’), dhe njëfarë zhdërvjelltësie të ngjashme me atë të gjarprit nën gurë.Por zhvillimet e fundit treguan të kundërtën. Treguan që nëse arrin të dëshmohesh para popullit, që atë që e thua e ke njëmend dhe nuk e ke vetëm për të kaluar fazën e vogëlisë, qytetari e aktivisti i thjeshtë të mbron e përkrahë pavarësisht a të kthehen kundër ata që iu ke besuar gjithçka.

Zhvillimet e fundit treguan, që pavarësisht kërcënimeve për ta shantazhuar, ndarë e shkatërruar Lëvizjen, vetëm sa për të ngjallur frikë, nuk arrijtën ta mposhtin guximin e aktivistëve e qytetarëve të thjeshtë që ta përkrahin të drejtën me çfarëdo çmimi.Pikërisht kjo është shpresa që na duhet secilit. Shpresa që nuk jemi vetë në betejat tona. Shpresa që do t’i qëndrojmë në krahë njëri tjetrit, edhe kur të fortit e autoritetet na kthehen kundër dhe do t’i mposhtim.

Shpresa që nuk ka komplot a plan, vendor a i huaj, që nuk mund t’na ndalë në realizimin e idealeve tona.Kjo shpresë, nuk do të mund të vinte assesi, sikur Albini me Lëvizjen, të mos ishte në krahë të popullit. Edhe kur dukej sikur e gjithë bota ishte bërë bashkë kundër popullit tonë sigurisht që aty ishte Lëvizja jonë në krye Albinin, e cila i ka rrënjët thellë ne popull, dhe pa asnjë përllogaritje elektorale mbronte qëndrimet e drejta edhe kur heshtja mund të siguronte pushtet.

Tash kur e vetmja shpresë për gjithë popullin është Lëvizja në krye me Albinin, dhe u duk sikur kjo shpresë po rrezikohet nga të gjithë (brenda nga ata që janë në krye të pozitave udhëheqëse, e jashtë prej të gjithë establishmentit mediatik e publik) është pikërisht populli, qytetarë e aktivistë thjeshtë, që pa kurfarë përllogaritje i dolën në mbrojtje Albinit e Lëvizjes.Ky është guximi që jep shpresë, për të gjithë ata që në politikë janë për ideale, e jo për përfitime.