Eriglisa, një e re nga komunitetit egjyptian tregoi historinë e saj dhe peripecitë me të cilat është ndeshur ajo dhe familja e saj në përballje me varfërinë dhe drejt rrugës së arsimimit. Eriglisa kërkoi po ashtu një shans për të festuar dhe dhurata për fëmijët rom dhe egjyptian që ndjekin kopshtin, ku ajo është edukatore.

Kryeministri i pranishëm në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, e siguroi se do të shkonte bashkë me Eriglisën për të shpërndarë dhurata dhe për të festuar Vitin e Ri me fëmijët e komunitetit rom dhe egjyptian.

Ai po ashtu i ofroi asaj pozicionin e punës së këshilltares së Ministrit për Çështjet Sociale. Eksperienca jote është te zemra jote, i tha Rama të resë.

Në një mesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve, kryeministri tha se “kur shikon nga afër njerëzit që kalojnë në këto vështirësi të jashtëzakonshme, dhe unë kam parë plot, kupton se sa shumë ka për të mësuar nga ata njerëz edhe në një aspekt themelor për të gjithë ne si prindër dhe njerëz me përgjegjësi publike”.

Kjo vajza, tha Rama duke iu referuar Eriglisës, “i ka pasur të gjitha justifikimet e botës për të mos shkuar në shkollë dhe për t’iu dorëzuar jetës ashtu siç i erdhi, në kundërshtim me ëndrrat e veta, por nuk ka zgjedhur të justifikohet, por të luftoj”. “Dhe ka bërë që me përpjekjet e saj të bëj të mundur, atë që jeta i thoshte: është e pamundur për ty”, tha Rama.