Ushtria izraelite ka ndërhyrë në protestat në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, të cilat po mbahen për të kundërshtuar vendimin e SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burime lokale thuhet se dhjetëra të rinj palestinez të qytetit Bejtullahim të Bregut Perëndimor mbajtën protestë kundër vendimit të SHBA-ve për Jerusalemin.

Ushtria izraelite ka ndërhyrë ndaj protestuesve duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Në anën tjetër, dhjetëra studentë palestinezë në kufi të qytetit Han Junus, në pjesën jugore të Gazës, protestuan kundër vendimit për Jerusalemin.

Ushtarët izraelitë ndërhynë ndaj studentëve me plumba të vërtetë dhe plumba gome si dhe me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit iu kundërpërgjigjën atyre duke hedhur gurë.

Disa nga protestuesit ishin në rrezik nga asfiksimi për shkak të gazrave të përdorura.

Dy dëshmorë, 351 të plagosur dhe 748 të prekur nga gazi gjatë ndërhyrjeve izraelite

Si pasojë e ndërhyrjes së ushtrisë izraelite në protestat e ditës së enjte dhe të premte në Bregun Perëndimor, Jerusalem dhe Gaza, kundër vendimit të SHBA-ve për Jerusalemin, 2 palestinezë kanë rënë dëshmorë, 351 janë plagosur, kurse 748 të tjerë kanë qenë në rrezik nga asfiksimi për shkak të gazrave të përdorura.

Të gjitha grupet palestineze në Gaza, duke filluar nga Hamasi kishin bërë thirrje për të organizuar protesta kundër vendimit të SHBA-ve për Jerusalemin.