Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, deri në fund të vitit pritet të rrumbullakojë numrin e duhur të profesorëve dhe numrin e administratorëve. Rektori Aziz Pollozhani tha se vonesa për pranimin e profesorëve është bërë me qëllim të zgjidhjes më cilësore të tyre. Por jozyrtarisht mësohet se për plotësimin e vendeve të njëjta nuk kishte interesim të mjaftueshëm.

Procedura për kompletimin e stafit që e kemi në numër ka shkuar ngadalë sepse synimi jonë ka qenë të bëjmë zgjidhjen më cilësore… Jemi nga fundi sepse janë punësuar afër 70 vetë, pra në procedurë e sipër janë edhe 15 të tjerë të cilët deri nga fundi i vitit shpresojmë që do ti rrubullaksojmë. Njëkohësisht po rrumbullaksojmë edhe pjesën e administratës, ne kemi marrë një pajtim nga financat për punësimin e 20 administratorëve të cilët më shumë se gjysma janë realizuar dhe tjetra është në shqyrtim e sipër – deklaroi rektor I UNT-së, Aziz Pollozhani.

Pos vonesës me stafin akademik, Universiteti “Nënë Tereza” funksionon në dy objekte, në ndërtesën e LSM-së si dhe objektin e Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”. Edhe studentët e këtij universiteti presin sa më shpejtë ndërtimin e objektit amë.

Duke marrë parasysh që ky fakultet është shpejt i hapur dhe ka ato ankesat dhe të mirat e veta, ne si studentë presim që të kemi një objekt të përbashkët dhe ti kemi të gjitha drejtimet në një vend që besoj se do të jemi të kënaqur me këtë. Në grupin tim shkenca sociale, punë dhe politikë sociale jemi afër 50 studentë- thotë Sara Shabani, studente.

Ne me vet paraqitjen tonë si studentë në këtë universitet kemi qenë në vetëdije se objekti nuk do të ndërtohet për një vit mirëpo presim që në kohë sa më të shkurtër ai të ndërtohet, të kemi kushte edhe më të mira sepse për çdo gjë nevojitet punë dhe përkushtim- thotë Fetanete Murtezani, studente.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup nisi me punë në vitin 2016. Ndonëse ishte premtuar kampus universitar në hapësirat e kazermës së Ilindenit, deri më sot në këtë parcelë nuk është hedhur as edhe një gozhdë./Alsat-M