Programi i Komisionit Evropian në pjesën e arsimit, trajnimit dhe të rinjve “Erasmus Plus 2014-2020” dhe nisma e BE-së, “Europas” dhe “Evridika”, u prezantuan në Konferencën e sotme të valorizimit që e organizoi Agjencia kombëtare për programe arsimore evropiane dhe mobilitet në Maqedoni.

Në konferencë morën pjesë mësues dhe profesorë, administrata komunale dhe aktivistë të sektorit civil, ndërsa u prezantuan edhe tre veprime kyçe për të mësuar nëpërmjet mobilitetit individual, bashkëpunim për inovacion dhe shkëmbim të praktikave të mira, si dhe mbështetje për reformën e politikave që i mbulojnë të gjitha llojet e aktiviteteve.

“Agjencia kombëtare do të vazhdojë të jetë shtylla e zbatimit të Erasmus + dhe do t’i mbështet të gjitha segmentet e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit në përpjekjet e tyre për pjesëmarrje më të barabartë në tendencat evropiane”, tha drejtoresha e Agjencisë, Lidija Dimova e cila me bashkëpunëtorët e saj Goce Veliçkovski dhe Dejan Zlatkovski prezantoi “Erasmus Plus 2014-2020”.

Ata theksuan se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të definohen fushat prioritare të mbështetjes çdo vit, gjë që do të kontribuojë në përdorimin optimal të fondeve të BE-së për të mbështetur bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Erasmus Plus” është një kombinim prej shtatë programeve arsimore evropiane, programeve të trajnimit dhe të rinj dhe për herë të parë në strukturën e saj shton sportin, ndërsa ka buxhet prej 14.7 miliardë euro. Ajo ofron mundësi të mëdha për të studiuar jashtë vendit për studentët dhe stafin mësimdhënës, ndërsa projektet e granteve do të ofrojnë trajnime për rreth katër milionë njerëz dhe 125.000 organizata.