Xhelal Neziri

Për një kohë të gjatë është toleruar korrupsioni në vendet e Ballkanit. Kjo nga shkaku se, midis sigurisë dhe demokracisë, qendrat e vendosjes në Perëndim kanë zgjedhur të parën.

Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar në vitet e fundit nuk kanë qenë aq këmbëngulës si sot që politikanët e inkriminuar në vendet ballkanike të përballen me drejtësinë. Kjo kastë politike, e lidhur ngushtë me krimin, duke shfrytëzuar këtë komoditet kishin një qëllim: të vënë nën konroll institucionet kyçe të cilat janë rrezik për to, siç është gjyqësia dhe prokuroria.

Duke mbajtur peng institucionet, këto struktura politike i shndërruan vendet e tyre në “banana shtete”, të cilat filluan të vihen në funksion edhe të figurave globale të biznesit, të cilat kishin probleme me ligjet kudo në botë. Para të pista kalonin nëpër institucionet e këtyre vendeve, ndërkohë që politikanë të inkriminuar numëronin fitimin nga provizionet.

Këto shtete ballkanike, dalëngadalë por sigurtë, filluan të shndërrohen në “lavatriçe parashë” në zemër të Europës. Kapital i dyshimtë nga vendet e Lindjes apo nga shtetet-ishuj (offshore) pastrohej pikërisht nëpërmjet këtyre shteteve të brishta, të kontrolluara nga struktura të nëntokës politike. Ky kapital i madh, që jo rallë herë ka qarkulluar ilegalisht në kesh (para të gatshme), ka prodhuar edhe ndikim konkret politik që ka rrezikuar perspektivën euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Kjo pasi të njëjtat janë përdorur për të financuar apo etabluar projekte politike, të cilat do të kenë për qëllim që vendet ballkanike t’i mbajnë në një gjendje të “banana shteteve”, ku nuk funksionon ligji dhe drejtësia, por vetëm fuqia e autoritetit politik.

Sulmi ndaj Parlamentit të Malit të Zi në prag të anëtarësimit në NATO apo edhe ai në Maqedoni më 27 prill kanë një emërues të përbashkët – përpjekjen e Rusisë që këto vende të mos futen nën omprellën politike dhe të sigurisë së Perëndimit. Një sulm të njëjtë sot ndodhi edhe ndaj Parlamentit në Shqipëri, ku opozita tentoi të ndalojë fillimin e reformave në drejtësi, të cilat kanë për qëllim që vendin ta shndërrojnë një shtet ku sundon ligji, e jo mafia. Pra, mbrojtja e prokurorëve dhe gjykatësve kukulla të nëntokës politike do të thotë vazhdimin e jetës së “banana shtetit”.

Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme shkulja e të gjithë krimit të organizuar dhe korrupsionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili për sa kohë u tolerua nga Perëndimi ka arritur të lëshojë rrënjë të thella. Si për ironi, anëtarët e nëntokës politike do të përdorin të gjitha mjetet demokratike që të bllokojnë reformat në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Nëse jo për ta fituar luftën, atëherë për të siguruar një paprekshmëri për to dhe pasurinë që kanë fituar në rrugë joligjore.