Policia antiterroriste turke arrestoi 17 persona të lidhur me biznesmenin turko-iranian, Reza Zarrab, në mes të një procesi të zjarrtë në Nju Jork që ka çorientuar Ankaranë.

“Shtatëmbëdhjetë të dyshuarit u arrestuan me kërkese të prokurorisë së Stambollit që ka hapur javën e kaluar një hetim kundër Zarrab dhe rrethit të tij”, theksoi agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency.

Zarrab është dëshmitari kryesor në një proces në Nju Jork mbi shmangien e sanksioneve ekonomike amerikane kundër Iranit.

Zarrab bashkë me dy iranianë të tjerë, Kamelia Jamshidy, 29-vjeç dhe Hossein Najafzadeh, 65-vjeç, akuzohen se për rreth 5 vite, nëpërmjet një rrjeti kompanish kanë kryer transaksione në qindra milionë për interes të qeverisë dhe subjekteve të tjera iraniane, të cilat kanë qenë pjesë e “listës e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zarrab, i cili ka nënshtetësi turke dhe iraniane, u akuzua dhe u arrestua në vitin 2013 si një ndër personat kyç në skandalin e korrupsionit që përfshinte ish-ministra të kabinetit Erdogan.

“Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë një fjalimi në Kongresin e gjashtë të partisë së tij AK theksoi se disa po përpiqen që të prodhojnë materiale të shantazhit, por ne nuk do të përkulemi para këtij shantazhi”, njoftoi Anadolu Agency (AA).

“Marr disa lajme dhe sinjale se disa biznesmenë dëshirojnë t’i rrëmbejnë pasuritë e tyre jashtë shtetit. Bëj thirrje nga këtu, së pari i bëj thirrje kabinetit tonë, nuk duhet të lejoni daljen e asnjërit prej tyre. Sepse këta persona janë tradhtarë të vendit”, theksoi Erdogan.