Një delegacion i Asociacionit të Agjencive Turistike dhe Turopertorëve (TURSAB) nga Stambolli sot është për vizitë në Maqedoni ku do të realizojë takime me kompanitë e Maqedonisë nga Lidhja e Odave Ekonomike dhe do të shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim.

Krahas takimeve, do të mbahet edhe punëtori për rritjen e potencialeve për bashkëpunim në turizëm midis Maqedonisë dhe Turqisë.

“TURSAB së bashku me “Turkish Erlajns” dhe kompanitë anëtare të Odës Turistike Hotelierike (OTH) do t’i detektojnë potencialet për zgjerimin e tregut turistik, rritjen e bashkëpunimit në pikëpamje të ofertës atraktive deri më tani më të volitshme për turistët e Maqedonisë”, thonë nga LOE, të cilët janë organizatorë të këtij evenimenti.

Oda Turistike Hotelierike në kuadër të LOE ka nënshkruar memorandum për bashkëpunim me TURSAB për përforcimin e bashkëpunimit në turizëm, rritjen e bashkëpunimit midis agjencive turistike me renome, hoteleve, restoranteve të të dyja vendeve, përmes rritjes së cilësisë së shërbimeve të cilat ofrohen.