Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk mendon që ta shkarkojë nga detyra prokurorin special Robert Mueller, i cili zhvillon hetimet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump, pas kthimit nga Camp David për në Shtëpinë e Bardhë u përgjigj në pyetjet e gazetarëve. Në pyetjen nëse mendon t’i japë fund punës së prokurorit Mueller”, Trump u përgjigj: “Jo, nuk mendoj”.

Mediat në SHBA gjatë fundjavës pretendonin se Trump do t’i japë fund detyrës së Mueller, i cili ndjek “pretendimet lidhur me marrëdhëniet e Trumpit me Rusinë” para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Mediat amerikane pretendonin se kjo iniciativë e Trumpit do të ndodhë gjatë pushimeve të Kongresit për Krishtlindje.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Kaliforni, Adam Schiff i kishte pohuar këto pretendime. Ai tha se kjo mundësi është diskutuar të premten në Kongresin e SHBA-ve.

“Sipas një thashetheme në Kongres, presidenti javën e ardhshme po përgatitet të mbajë një fjalim të madh. 22 dhjetori është një ditë kur ne nuk do të jemi në Washington dhe atë ditë presidenti mund t’i japë fund detyrës së prokurorit Mueller”, tha Schiff.

Trump para Mueller-it e shkarkoi nga detyra drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) James Comey, i cili zhvillonte hetimet për pretendimet në fjalë.