Ishte viti 1992, kur në Gjermaninë Lindore u zbulua një formacion pemësh në formën e zvastikës, kryqit të thyer nazist, fshehur në zemrën e një pylli në rajonin e Uckermarkut. Vetëm ardhja e vjeshtës e shfaqte atë në mënyrë të dukshme.
Zbulimi shkaktoi shumë polemika dhe i shtyu autoritetet që të nisin një vepër të shënjestruar shpyllëzimi, pa u sqaruar asnjëherë origjina e mbjelljeve.

Simboli nazist u pikas nga arkitekti peizazhist, Gynter Reschke, gjatë konsultimit të disa fotografive ajrore të realizuara pranë qytetit të Zernikovit. Një vështrim i zonës së Kutzerover Heide zbulonte praninë e një serie pemësh të mbjella në mënyrë të rregullt, gjethet e të cilave dukej se ndërronin ngjyrë gjatë vjeshtës, duke krijuar formën e një kryqi të thyer në mesin e një tapeti me pisha të gjelbra.

Analizat e mëvonshme arritën në përfundimin se pemët ishin mbjellë në fundin e viteve ’30, duke krijuar kështu një tribut të heshtur për Rajhun e Tretë për dekada të tëra. Askush nuk e kishte vënë re: avionët e linjës fluturonin shumë lart, ndërkohë që fluturimet privatë u lejuan në Gjermaninë Lindore vetëm pas rënies së Murit.

Investigimet gazetareske dhanë disa shpjegime. Një person tha se i kishte mbjellë kur ishte fëmijë, me urdhër nga lartë, ndërkohë që të tjerë flisnin për një shenjë besnikërie që u imponua pasi një banor u kap duke dëgjuar BBC-në. Sipas një hipoteze të mëtejshme, bëhej fjalë për një homazh për ndërtimin e një rruge në Zernikov, por u fol edhe për një dhuratë për ditëlindjen e Hitlerit.

Në vitin 1995, disa pemë u prenë në mënyrë selektive, por pesë vjet më vonë, fotoja që shihni zbuloi që masa kish qenë e pamjaftueshme për të eliminuar kryqin e thyer.