Tre persona e humbën jetën gjatë sulmit të sotëm në një shkollë të mesme në shtetin federal amerikan Nju Meksiko, përfshirë edhe sulmuesin.

Sherifi Ken Kristensen deklaroi se tre persona, për të cilët besohet se janë nxënës, janë të vdekur nga sulmi në shkollën Aztek. Ai nuk saktësoi nëse sulmuesi është njëri nga ata tre persona. Nga ana tjetër, shefi i policisë lokale Majk Hill, deklaroi se tre persona janë të vdekur, duke e përfshirë edhe sulmuesin, por nuk kumtoi nëse bëhet fjalë për nxënës apo persona të rritur.

Mediumet lokale informuan se gjatë sulmit ka dhjetëra të plagosur.

Policia lokale reagoi pas informatës për të shtëna në një shkollë të mesme, pas çka rrugët përreth u bllokuan, ndërsa institucioni arsimor u evakuua. Edhe shkollat e tjera në rrethinë u evakuuan dhe mbyllën.

Tani për tani nuk dihet nëse sulmuesi ka qenë nxënës, i punësuar apo person nga jashtë. Gjithashtu, nuk dihen as motivet e sulmit.