Transportues me veprimtari themelore “transport të udhëtarëve” punojnë si agjenci turistike, ndërsa agjencitë turistike me licencë B shesin aranzhmane dhe organizojnë udhëtime sikur të kenë licencë A, alarmon Shoqata për hotelieri dhe turizëm pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Shoqata kërkon që garancia bankare të jetë e vetmja për seriozitet të agjencive turistike, e jo si deri më tani, agjencitë të mbulohen me polica sigurimi. Është e domosdoshme edhe të ndërrohet kategorizimi. Në vend të A dhe B, të ketë dy kategori të tjera: tur-operatorë (të cilët do të organizojnë udhëtime) dhe agjenci turistike apo agjentë shitës (të cilët do t’i shesin aranzhmanet).

“Propozojmë ndryshime të ligjeve për veprimtarinë turistike dhe hotelierike me të cilat duhet të tejkalohen parregullsitë e përcaktuara dhe të vihet rend në veprimtarinë turistike. Prej 519 agjenci të regjistruara turistike në Maqedoni, madje 100 janë me veprimtari bazë “transportues udhëtarësh”, theksoi zëvendëskryetari i Shoqatës, Sllave Siraçevski.

Në konferencën për shtyp në Odën ekonomike, Siraçevski përmendi se licencat e agjencive turistike duhet të ripërtërihen në çdo dy apo tre vite, e jo të vlejnë në mënyrë të pakufizuar.

Sipas Asim Mexhedoviq, anëtar i Shoqatës, duhet të ndërrohet edhe Rregullorja për subvencionim të sjelljes së turistëve të huaj sepse procedura për pagesë është voluminoze dhe e komplikuar.

Shoqata bën thirrje se ende nuk është zgjidhur problemi edhe me të ashtuquajturit njerëz-agjenci. Në këtë drejtim kërkon që kompetentët të kenë ingerenca më të mëdha në mënyrë që të mund të dënohen në vend.