Presidenti amerikan, Donald Tramp paralajmëroi Teheranin se bota po i vëzhgonte, pas protestave të djeshme antiqeveritare, të zhvilluara në të paktën gjashtë qytete iraniane.

“Ka shumë njoftime për protesta paqësore nga qytetarët iranianë kundër korrupsionit dhe kundër sponsorizimit të terrorizmit jashtë vendit nga ana e autoriteteve”, tha Tramp, i cili ishte në të njëjtën linjë me një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Ai në tuitin e tij shkruan se qeveria iraniane duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve të saj, përfshirë të drejtën e protestës.

“Qeveria iraniane duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve të saj, përfshirë të drejtën e protestës. Bota po vëzhgon”, theksoi ai në Twitter.

Një numër i madh protestuesish dolën në rrugë në qytetet Mashhad, Neyshabur, Kashmar dhe Birjand në verilindje të Iranit, duke protestuar kundër papunësisë, varfërisë dhe çmimeve stratosferike.

Protestuesit po ashtu thërrisnin, “Vdekje Ruhanit” dhe “Vdekje Diktatorit”, respektivisht në lidhje me presidentin e regjimit dhe udhëheqësin e lartë AliKhamenei.

Mariam Rajavi Presidentja e zgjedhur e Rezistencës iraniane tha se kryengritjet në Kermanshah dhe Mashhad dhe qytete të tjera janë shenja e vdekjes së diktaturës së korruptuar të mullahëve dhe e lindjes së demokracisë, drejtësisë dhe sovranitetit popullor.