SHBA-të nuk do ta zhvendosin ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem për të paktën dy vite, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

“Nuk është diçka që do të ndodhë këtë vit dhe me shumë mundësi as vitin e ardhshëm”, tha Tillerson në përfundim të një takimi me homologun e tij francez, Jean Yves Le Drian, në kuadër të një mbledhje në Paris për Libanin.

“Por presidenti do që ne të përparojmë në mënyrë shumë konkrete dhe shumë të vendosur për të qenë të sigurt që ambasada të mund të transferohet sa më shpejtë të jetë e mundur”, theksoi ai.

“Për këtë duhet të blejmë një zonë, të krijojmë plan ndërtimi, të marrim autorizimet e nevojshme, ndonëse nuk po i paraprij vështirësive për këto autorizime dhe më pas të ndërtojmë ambasadën”, vazhdoi kreu amerikan i diplomacisë.

Rex Tillerson theksoi gjithashtu se “Donald Trump kishte qenë shumë i qartë mbi faktin, se statusi përfundimtar i Jerusalemit dhe i kufijve, duhet të negociohet dhe vendoset nga palët në konflikt”.

Sekretari amerikan i Shtetit do të takohet gjithashtu me presidentin Emmanuel Macron, në përfundim të mbledhjes në mbështetje të Libanit, për të qartësuar këto çështje.