Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE në fjalimin e tij të fundvitit.

“Ne e dimë se Kosova nuk do të jetë e gatshme për tu bashkaur me BE-në vitin e ardhshëm por besoj se të gjithë jemi të shqetësuar se procesi është i padrejtë”.

“Liberalizimi i vizave është shembull i qartë, Kosovës i janë vënë 95 kritere kur fiqnjët e saj kanë pasur vetëm 50 të tilla”.

“Për më tepër, Kosova ka përmbushur plotësisht të 95 kriteret nësë bazohemi në udhërrëfyesin formal”.

I pari i shtetit ka përmendur edhe temën e nxehtë të Demarkacionit duke ritheksuar se ky është kriteri i fundit i vënë për Kosovën në shkëmbim të liberalizimit të vizave, njofton Klan Kosova.

“Kriteri i fundit është ratifikimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi i cili duhet të plotësohet pa humbur kohë”.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar dje këtë marrëveshje, të cilën me përgjegjësinë më të lartë shtetërore e kam nënshkruar më 26 gusht, sepse marrëveshja ka qenë e qartë dhe e saktë”.

“Çdo dështim i mëtutjeshëm i institucioneve për të kryer obligime ndërkombëtare po i shërben Bashkimit Europian për të mbajtur Kosovën të izoluar”.

“Zvarritjet për të blerë kohë ose për shkak të tekeve personale janë të papranueshme, këto zvarritje janë të dëmshme jo vetëm për liberalizimin e vizave por edhe për raportet ndërshtetërore me Malin e Zi”.

Thaçi ka ripërsëritur se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të përmbyllet sa më shpejt.

“Institucionet shtetërore duhet të marrin vendim tani sepse vonesat sjellin vazhdim të izolimit dhe zbehin besueshmërinë tonë tek shtetet mike”.

“Nuk duhet t’i lejojmë vetes të dështojmë dhe të bëjmë fajtor vetëm BE-në apo bashkësitë ndërkombëtare”.

“Institucionet kanë dështuar për gati 3 vjet të ratifikojnë marrëveshjen, nuk mund të jetojmë me mite dhe histori por me realitet”.

“Kemi humbur jo vetëm betejën e argumenteve me BE-në por kemi humbur besimin edhe tek partnerët strategjikë”.