Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2018 nesër është në seancë plenare. Ministri i Financave, Dragan Tevdovski konsideron se duhet të ketë debat konstruktiv dhe se do të duhej në të të marrë pjesë edhe opozita.

“Do të doja të ketë debat konstruktiv sepse buxheti është akti më serioz që miratohet në një vit. Mendoj se që të kemi funksionim të mirë të shtetit do të duhej edhe opozita të marrë pjesë dhe të japë kritika dhe komente për dokumentin”, deklaroi sot ministri Tevdovski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve para mbledhjes së parë të Këshillit për zhvillim të tregut të Maqedonisë të kapitalit.

Propozim buxheti i plotësuar me gjashtë amendamentet e plotësuara të pranuara në debatin në lexim të parë në komisionet kuvendore dhe me amendamente nga ana e Qeverisë, u parashtrua javën e kaluar, pas çka u caktua edhe mbledhje plenare e Kuvendit, por u anulua dhe ricaktua për datën 22 të këtij muaji. VMRO-DPMNE paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen për buxhetin.

Në Propozim buxhetin e plotësuar janë bërë rritje të mjeteve financiare për gazifikim në vlerë prej 120 milionë denarëve, tek bllok dotacionet për kopshte, shkolla fillore dhe të mesme dhe institucione kulturore për 200 milionë denarë, tek Fondi për Shëndetësi për 100 milionë denarë dhe tek Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor për 10 milionë denarë.

Të ardhurat e përgjithshme në Buxhet për vitin 2018 janë projektuar në 193,5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 211,7 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në 18,2 miliardë denarë apo 2,7 për qind të BPV-së, përkatësisht shënon ulje në raport me vitin e kaluar për 0,2 pikë procentuale. Shkalla e inflacionit pritet të jetë në nivel prej 1,7 për qind. Në vitin 2018 nuk janë planifikuar ndryshime më të mëdha tatimore. Është planifikuar rritje e akcizës së naftës për tre denarë.