Të paktën 37 persona e kanë humbur jetën në zjarrin në një qendër tregtare në Filipine, ndërsa shumica nga viktimat janë të punësuar në objekt.

Tragjedia ka ndodhur në qytetin Davao. Presidenti Rodrigo Duterte arriti në vendin e fatkeqësisë, ndërsa zëvendës prefekti Paolo Duterte, përndryshe djali më i vjetër i presidentit filipinas, deklaroi se gjasat që të gjenden të mbijetuar në zjarrin janë shumë të vogla.

Zjarri ka shpërthyer dje në një shitore për mobilje në katin e tretë dhe është përhapur me shpejtësi të madhe. Shkaku ende nuk është i njohur, ndërsa në vijim është hetimi. Gjashtë persona kanë shpëtuar dhe në këtë moment janë në spital.