Për shkak të frikës personale, Thaçi, Veseli dhe Haradinaj po i mbledhin nënshkrimet e deputetëve për të thirrur të martën një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do ta fusin në rend të ditës shfuqizimin e Ligjit për krijimin e Gjykatës Speciale, gjë e cila do ta përplaste vendin tonë me Bashkimin Evropian

Kur je i ngujuar në një gropë, gjëja e fundit që e bën, nëse e ke ndërmend të dalësh prej aty, është që të vazhdosh të groposh edhe pak më thellë.

Kosova edhe më tutje është në konflikt të hapur me bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e demarkacionit, kurse presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari, në vend që ta zgjidhin këtë problem, javën e ardhshme pritet ta hapin edhe një front tjetër shumë më të rrezikshëm sesa kufiri me Malin e Zi.

Gazeta Express ka mësuar që me iniciativën e Thaçit, Haradinajt dhe Veselit, kanë filluar të mblidhen nënshkrimet e deputetëve për ta thirrur të martën një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të provohet të shfuqizohet Ligji i aprovuar vite më parë për themelimin e Gjykatës Speciale.

Një hap i tillë, ka mësuar Express prej burimeve diplomatike, do ta fundoste përfundimisht shpresën e Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, përmes liberalizimit të vizave, ose përmes çfarëdo rruge tjetër.

“Kjo është çmenduri”, ka thënë burimi i Gazetës Express.

Shoqatat e dala nga lufta i kanë mbledhur rreth 16 mijë nënshkrime për çështjen e Ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale. Ata gjatë mbledhjes së këtyre nënshkrimeve i kanë mashtruar qytetarët, duke thënë që nënshkrimet e tyre janë për plotësim-ndryshim të këtij ligji, kurse kërkesën në Kuvend e kanë dorëzuar për shfuqizim të këtij ligji.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka lënë të kuptohet që nuk do ta mbështesin shfuqizimin e këtij ligji. Sipas tyre, në Tribunal pritet të zbardhen edhe shumë vrasje të pasluftës të zyrtarëve të kësaj partie, që kanë mbetur të patrajtuara nga drejtësia në Kosovë për dy dekada.

“Në parim jam kundër çdo tentimi që ka për qëllim të pengojë punën e Gjykatës Speciale, në veçanti për shkak se tashmë dihet që kjo gjykatë do të trajtojë edhe disa nga vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të LDK-së, të cilat bien në juridiksionin e saj”, ka thënë Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, në një prononcim për Express.

Tensionet brenda LDK-së janë ngritur edhe më shumë pas deklaratës së Nasim Haradinajt, njëri prej zyrtarëve të shoqatave të veteranëve të UÇK-së se “nuk ka lidhje që janë vrarë zyrtarët e LDK-së”.