Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, priti dje në kabinetin e tij ambasadoren e Republikës së Turqisë në Shkup, Tylin Erkal Kara.

Në takimin miqësor, Taravari dhe ambasadorja e Turqisë biseduan rreth bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet shtetit turk dhe komunave të Turqisë me komunën e Gostivarit, me ç’rast u konstatua se ky bashkëpunim duhet jo vetëm të vazhdojë por akoma më shumë të thellohet.

Kryetari i komunës së Gostivarit, para takimit, deklaroi për media se ambasadorja Erkal Kara është një mike e Gostivarit dhe se kjo është një vizitë miqësore, por ku do të bisedohet edhe për planifikimet e zhvillimit të komunës, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e investimeve nga Republika e Turqisë.

“Me ambasadoren e Turqisë, Kara, njihemi prej më herët, gjegjësisht prej kohës kur isha ministër i shëndetësisë. Ajo është një mike e komunës së Gostivarit dhe një mike e imja personale. Edhe pse vizita e sotme është një vizitë urimi, padyshim se do të bisedojmë edhe për planifikimet për zhvillimin e komunës, pse jo edhe për investime të mundshme të Republikës së Turqisë në komunën tonë”, deklaroi Taravari.

Ambasadorja Kara, ia uroi postin Taravarit duke shfaqur shpresën se ai do të jep kontribut për përkrahje të popullit turk në komunën e Gostivarit.

“Gjendem këtu sot fillimisht për ta uruar për postin kryetarin Taravari. Nga zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën këtu kanë kaluar rreth dy muaj dhe për këtë kam dashur që sa më parë të vij dhe ta uroj kryetarin. Ai për ne është një mik shumë i rëndësishëm. Komuna e Gostivarit ka një numër të konsiderueshëm të popullatës turke dhe jemi të bindur se kreu aktual i komunës, padyshim do t’i përkrahë turqit si komunitet në Gostivar”, tha mes tjerash ambasadorja turke.

Ndryshe, ambasadorja Kara, e shoqëruar nga përfaqësues të kabinetit të kryetarit të komunës, vizitoi disa institucione publike dhe fetare në qytetin e Gostivarit, njofton Shërbimi për informim i Komunës së Gostivarit.